Dita e Hapur në Gjykatë – Studentët e Universitetit "Marin Barleti" në Gjykatën e Lartë

Në kuadër të Javës së Drejtësisë, u zhvillua “Dita e hapur në Gjykatë”, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti “Marin Barleti”.
Studentët u pritën nga Zëvendëskryetari i Gjykatës Ilir Panda dhe Ndihmësmagjistrati Renis Sheshi, të cilët ndanë me ta një panoramë të plotë mbi funksionimin e gjykatës dhe praktikën gjyqësore.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Panda prezantoi historikun e institucionit, simbolikën e togës dhe të logos së gjykatës, si dhe theksoi rëndësinë e etikës dhe profesionalizmit në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit. Studentët u inkurajuan të ishin aktivë, të shtronin pyetje dhe të angazhoheshin në diskutime.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vendimit të fundit të Kolegjeve të Bashkuara, si një moment i rëndësishëm për unifikimin e praktikës gjyqësore.
Takime të tilla janë një urë e rëndësishme lidhëse mes arsimit juridik dhe praktikës, duke i afruar më shumë studentët me sistemit të drejtësisë.

"Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë", është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve dhe studentëve mbi sistemin gjyqësor, trajtimin e temave të ndryshme me interes sipas grupeve që vizitojnë gjykatën, si edhe vizita në ambjente të ndryshme të godinës, sallave të gjyqeve, sallës së mbledhjes së gjyqtarëve, etj.